Pranga policit ne Korçe, i dehur ne timon shkaktoi aksident

Një inspektor policie që shërben në policinë Kufitare të Pustecit është vënë në pranga nga AMP, pas një aksidenti rrugor të ndodhur në aksin Korçë-Bilisht, pasditen e djeshme.

AMP sqaron se efektivi 58-vjeçar ka qenë duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit, në momentin kur është përplasur me një furgon.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë, Inspektor R.XH., 58 vjeç, me detyrë Trup Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pustec, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.

Sot rreth orës 17:25, duke drejtuar mjetin në rrugën nacionale Korçë – Bilisht, është përfshirë në aksident rrugor me dëme materiale, me një mjet tip furgon.

Nga testet e kryera në vendngjarje ka rezultuar se punonjësi i Policisë kishte konsumuar alkool tej normave të lejuara. Ai ishte duke shkuar për të marrë detyrën”.