Skandali Rraja, kontroll baneses se ish-deputetit. I biri dhe vellezerit ia mbathin jashte vendit

Për të arrestuar Rexhep Rrajën, djalin e ish deputetit socialist Rrahman Rraja, si dhe tre vëllezërit e tj, Flamur, Xhelal dhe Përparim Rraja, dhe dy të afërm të tyre, policia ka ushtruar kontrolle përgjatë ditëve të fundit në Krujë e në zonat përreth.

Me vendim gjykate, mësohet se kontroll është ushtruar edhe në banesën e ish deputetit Rrahman Rraja, pas përfundimit të procedurave të lënies së mandatit.

Brenda shtëpisë së Rrahman Rrajës nuk janë gjetur sende të jashtëligjshme, dhe aq më pak 6 personat e shpallur në kërkim.

Mesohet se te gjithe te kërkuarit, tashmë janë jashtë Shqipërisë.

Për dhunën barbare që pjesëtarë të fisit Rraja ushtruan ndaj dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja, përveç 6 të kërkuarve u arrestuan edhe 4 persona.
Shkak i dhunës, ku Flamur Rraja kërcënoi edhe me armë, u bënë denoncimet e banorëve të Borizanës dhe të kushërinjve Maja se shpërthimet në guroren e Përparim Rrajës po u shkatërronte atyre banesat.

Kjo ngjarje pasoi me mbylljen e gurores në Borizanë, ndërsa kryeministri Edi Rama shkarkoi nga posti i ministrit të Brendshëm Bledi Çuçin dhe në vend të tij emëroi Taulant Ballën.

Pak ditë më parë, policia njoftoi zyrtarisht se tre drejtuesit kryesorë të Komisariatit Krujë u liruan nga detyra dhe 26 oficerë të tjerë u transferuan. Postin e shefit të komisariatit e mori Kreshnik Alimadhi.