SPAK zbarkoi në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në shtëpinë e Erion Veliajt.
Kontrollet janë urdhëruar nga Gjykata e Posaçme në kuadër të hetimit pasuror ndaj Veliajt, një veprim ky i ndërmarrë nga Prokuroria Antikorrupsion 20 ditë pasi kryebashkiaku socialist u paraqit në SPAK.
Pasi mbërritën në shtëpinë e kryebashkiakut, agjentët e BKH u njohën me faktin se Veliaj nuk gjendej aty për shkak të angazhimeve zyrtare.
SPAK: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment. Faleminderit për mirëkuptimin.
Kontrolleve iu nënshtruan edhe familjarët e tij.
Përmes burimesh Vizion Plus konfirmoi që agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit pasi kontrolluan shtëpinë e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, gjetën dhe sekuestruan një celular të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa
Grupi hetimor ka dyshime që edhe në galerinë e artit mund të ketë dokumente apo sende që mund të çojnë përpara procedimin penal.
Po të njëjtat burime bënë të ditur se në fakt, edhe vëllait të Erion Veliajt, Arbër Veliajt iu kontrollua shtëpia, që ndodhet përbri asaj të kryebashkiakut socialist.
Hetimi pasuror për Erion Veliajn nisi në maj të këtij viti nën drejtimin e prokurorit Olsi Dado. Veliaj po hetohet në kuadër të dy kallëzimeve penale, ai i dosjes 5D, ku në pranga kanë përfunduar disa zyrtarë të lartë të bashkisë së Tiranës e që prokuroria thotë që si një rreth vicioz, ata i çonin tendera njëri tjetrit, në mënyrë që paratë të kishin destinacion final vetë ata.
Dosja tjetër është ajo e inceneratorit të Tiranës, për të cilën po ashtu SPAK ka kryer disa arrestime.
Mbetet për tu parë se në kuadër të cilit prej këtyre dy procedimeve SPAK kreu këtë të premte aksionin në banesën e tij, e të familjarëve të tij./vizionplus.tv