SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka bërë kërkesë për të dërguar në gjyq biznesmenin e hidrokarbureve Rezart Taçi, shoferin e tij Bledar Lilo dhe kunatin Artur Balla.
Rezart Taçi akuzohet së bashku me katër italianë dhe dy bashkëpunëtorët e tij për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. Taçi do të pastronte rreth 18.4 milionë euro të mafies italiane në Shqipëri.
SPAK deklaron se nga hetimet e nisura këtë vit në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë zbuluar organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
Skema financiare është drejtuar nga dy italianët Francesco Zummo dhe I.Z., në bashkëpunim me një tjetër italian Fabio Petruzzella të zviceranit me origjinë italiane Daniele Castagalli si dhe të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. SPAK thotë se Taçi në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, Artur Balla dhe Bledar Lilo.
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shqiptarëve të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht sipas SPAK-ut dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht.
Po sipas SPAK-ut gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.
Kush është Rezart Taçi, borxhet dhe arrestimi në Zvicër
Me hapjen e pikave të “Taçi Oil”, pronari Rezart Taçi, që në mediat e huaja etiketohet si “manjati i naftës në Shqipëri”, ngjiti shkallët e suksesit, duke ndërtuar depozitat në Shëngjin dhe vende të tjera. Gjatë kohës kur Berisha ishte kryeministër ai bleu ARMO-n, gjigantin e përpunimit të naftës në Shqipëri.
Ai u kthye në një nga biznesmenët kryesorë për karburantet. Taçi bleu pas disa kohësh dhe një ndër televizionet më të rëndësishme të kohës, “TV Alsat”. Ai mori goditjen finale në vitin 2013 kur tatimet i bllokuan rafinerinë e hidrokarubureve ARMO.
Në vitin 2016 Taçi u arrestua në Zvicër me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.
Ky hetim, kishte nisur pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin panamez me emrin “Wallis Trading INC” dhe ajo holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”, të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009.
NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për proçedimin penal nr.211 viti 2021, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve paraprake lidhur me këtë proçedim penal është arritur në përfundimin se të pandehurit Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, në bashkëpunim me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qënë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vënde të tjera.
Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë proçedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro, të bllokuara në një llogari bankare në një bankë të nivelit dytë në Shqipëri.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 27.10.2022 ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesë për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.