Bukuritë natyrore dhe kosto e ulët nuk mjaftojnë… Që nami i mirë të dalë e kurioziteti të vazhdojë ka nevojë për promovim. Shumë gjëra të vogla janë bërë të mëdha nga mënyra e duhur e të reklamuarit. E njëjta ndodhi edhe me Shqipërinë, që vitin e shkuar mirëpriti mbi 10 milionë të huaj. Por si çdo gjë, edhe kjo arritje e pati një çmim. Gati 190 milionë lekë apo rreth 1.8 milionë euro u shpenzuan vjet në 50 panaire, reportazhe apo artikuj ku u promovuan bukuritë natyrore të vendit.
“Marketingu është një nga degët që nuk duhet të zhduket asnjëherë, veçanërisht në turizëm dhe përgjithësisht në ekonomi. Nëse do që të jesh i dukshëm dhe prezent duhet të marketosh. Në shpenzosh 2 milionë euro për marketing dhe të gjenerosh 4.8 miliardë euro të ardhura, kjo është fantastike. Çdo biznes do e dëshironte”, tha Ferjolt Ozuni, pedagog, ekspert i turizmit.
Dikur vendi më i izoluar i Europës, vitin e shkuar veçanërisht, vendi u kthye në një destinacion popullor turistik të preferuar për shumëkënd, ndërsa dhjetëra artikuj për “perlën e panjohur të Mesdheut” qarkulluan në mediat ndërkombëtare. Por këtu ekspertë të fushës kanë disa këshilla.
“Audienca duhet të jetë e targetuar. Të bësh marketing në media shumë ekskluzive si “The Economist” apo BBC shpesh nuk kapin të gjitha target grupet e turistëve që ne na interesojnë. Po këto do të jenë, kur siç qeveria thotë, ne të kemi turizëm elitar. Sot duhet të përqendrohemi te kanalet që ndiqen nga shtresat e mesme të popullsive”, deklaroi Ozuni.
Promovimi përmes emisioneve televizive, platformave sociale apo fushatave të marketingut janë një praktikë e zakonshme e promovimit turistik të një vendi dhe sipas ekspertëve të turizmit, edhe një nga faktorët e suksesit turistik të Shqipërisë. Sipas tyre, ka rëndësi që këto përpjekje të vijojnë që “të mbajmë namin e mirë dhe që kurioziteti të vazhdojë.” /A2 CNN