Truri i gjitareve sfidon shkencen, shkencetaret: Jemi te habitur

Duke përdorur një grimcë nga truri i miut, me përmasat e një kokrre rëre, shkencëtarët kanë krijuar hartën e parë të saktë dhe tredimensionale të trurit të një gjitari.

Kjo hartë përshkruan në detaje formën, funksionin dhe aktivitetin e 84 mijë neuroneve – struktura të degëzuara që transmetojnë mesazhe përmes një “krahu” të gjatë të quajtur aksone dhe pastaj përmes më shumë se 500 milion ‘sinapseve’, si dhe përfshin 200 mijë qeliza të tjera të trurit.

Pjesa e vogël e indit përmbante 5.4 kilometra lidhje neuronale – gati një herë e gjysmë gjatësia e Central Park-ut në New York.

Ky punim është përmbyllja e gati një dekade kërkimesh nga 150 shkencëtarë në 22 institucione, të udhëhequr nga Instituti Allen për Shkencën e Trurit, Kolegji i Mjekësisë Baylor dhe Universiteti Princeton, shkruan cnn.

“Një nga rezultatet anësore të këtij projekti është që na tregon sa jashtëzakonisht i bukur është truri”, tha Dr. Forrest Collman, drejtor i asociuar për të dhëna dhe teknologji në Institutin Allen, në një video të shpërndarë nga organizata.

“Vetëm duke parë këto neurone, mund të shohësh detajet dhe përmasat e tyre në një mënyrë që të bën të vlerësosh trurin me një ndjenjë habie, ashtu si kur shikon një fotografi të një galaktike shumë, shumë larg”, shtoi ai.

Kjo hartë e jashtëzakonshme përfaqëson vetëm 1/500 e vëllimit të plotë të trurit të një miu, megjithatë ekipi përfundoi me 1.6 petabajt të dhëna – një sasi marramendëse që barazohet me 22 vite video HD pa ndërprerje.

Projekti, i njohur si Machine Intelligence from Cortical Networks (MICrONS), i ka bërë këto të dhëna publike në revistën Nature më 9 prill.