7.3 milione litra vaj palme në një vit hynë në vend, AKU nuk tregon destinacionin

Rreth 7.3 milionë litra vaj palme janë importuar në Shqipëri gjatë periudhës 2025-2026. Mbetet e paqartë se në cilat produkte dhe biznese përfundon kjo sasi, pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka dhënë informacion mbi destinacionin e këtij produkti.

Më 4 nëntor 2026, Top Channel i është drejtuar zyrtarisht AKU-së, duke kërkuar të dhëna jo vetëm për sasinë e vajit të palmës të importuar, por edhe për përdorimin e tij në industri të ndryshme, veçanërisht në industrinë ushqimore dhe në prodhimin e produkteve të qumështit. Kërkesa përfshinte edhe ndarjen e të dhënave sipas viteve.

Në mungesë të një përgjigjeje nga AKU për destinacionin e këtij produkti, ekspertja e sigurisë ushqimore, Onejda Kyçyku, shpjegon se vaji i palmës nuk përdoret vetëm në industrinë e përpunimit të ushqimit, por edhe nga bizneset e vogla, si restorantet dhe fast-food-et.

Sipas saj, për të ulur kostot, disa biznese mund ta përdorin atë për skuqjen e perimeve dhe mishit, ndërsa prania e vajit të palmës është e përhapur edhe në pastiçeri, ëmbëlsira dhe akullore.

Vaji i palmës nuk është një produkt i ndaluar, por shqetësimi lidhet me mënyrën dhe shpeshtësinë e përdorimit të tij. Ekspertja paralajmëron se rreziku shtohet veçanërisht kur vaji përdoret vazhdimisht për skuqje në temperatura të larta.

Kur temperatura e vajit arrin 150-200 gradë Celsius dhe ai ripërdoret disa herë, krijohen komponime që mund të jenë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Në këto kushte, procesi i degradimit të vajit mund të çojë në formimin e substancave me potencial kancerogjen