Në pritje të protestës dita e gjashtë, fadromat heqin pllakat e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”

Për të gjashtën herë, studentë, prindër, fëmijë e të moshuar pritet të mbushin rrugët e Tiranës, pasi siç e kanë njoftuar dhe gjerësisht në rrjet tubimi i radhës do të mbahet mesditën e sotme. Ndërkohë, disa fadroma janë parë duke hequr gurët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në mënyrë që të rinjtë të mos lëndojnë efektivët.

Prej ditësh, fëmijë e të rritur janë para duke shkulur pllakat e gurët e trotuarëve, me të cilët kanë “shënjestruar” efektivët që janë në krye të detyrës në terren, ku shumë prej tyre kanë marrë lëndime të rënda në trup. Për këtë situatë shprehu shqetësimin e tij dhe kryeministri Edi Rama, i cili mëngjesin e kësaj të diele theksoi se policët nuk duhen dhunuar duke shtuar se ata vetëm po bëjnë detyrën e tyre.

Protesta studentore, u përshkallëtua ditën e djeshme, pasi të rinj të maskuar vijuan me shkatërrimin e hapësirave publike e jo vetëm. Mbrëmjen e djeshme, disa prej tyre janë bërë bashkë duke i vënë flakën Gjykatës së Lartë, e sërish dhe disa bizneseve private.

Heqja e gurëve nga trotuarët u ka prishur “skenarin” të rinjve që protestojnë, pasi që në ditën e parë, më 13 tetor ata kanë shkulur pllakat e trotuareve duke qëlluar me to efektivët e policisë, të cilët u kanë hedhur atyre gaz lotsjellës dhe ujë, si tentativë për t’i shpërndarë.

Referuar protestave të deritanishme, pritet që dhe kjo e sotmja të zgjasë për gati 12 orë e të jetë me tensione, por me lëvizjen e fundit nga ana e bashkisë Tiranë, mbetet për t’u parë se cili do të jetë skenari i studentëve përballë policisë.