Bilanci i arrestimeve të pesë ditëve protestë. Gjykata e Tiranës jep masat e sigurisë për 51 protestues.

Gjykata e Tiranës ka vendosur masat e sigurisë për 51 personat e arrestuar pas protestave dhe përplasjeve të ditëve të fundit në kryeqytet. Nga vendimi i shpallur këtë pasdite, 11 persona do të qëndrojnë në burg, ndërsa për 40 të tjerët janë caktuar masa më të lehta sigurie.

Pesë prej të arrestuarve janë lënë në arrest shtëpie, 25 do të duhet të paraqiten në policinë gjyqësore, ndërsa për 10 persona është vendosur ndalimi dhe detyrimi për të qëndruar në një vend të caktuar.

Për këta 10 persona, gjykata ka vendosur edhe kufizime të lëvizjes. Ata nuk duhet t’u afrohen institucioneve publike në një distancë më të vogël se 500 metra dhe nuk mund të qëndrojnë në sheshe apo ambiente ku zhvillohen tubime dhe manifestime pa autorizimin e gjykatës. Gjithashtu, është urdhëruar lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi i 40 personave, me kusht që të mos mbahen të arrestuar apo të ndaluar për ndonjë çështje tjetër penale.

Sa u përket 11 personave që janë lënë në burg, Z.M., E.B., J.P., L.B. dhe S.F. dyshohen për shkatërrim të pronës dhe kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik. Ndërsa R.D. akuzohet edhe për vjedhje dhe për vepra penale që lidhen me prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta.

N.T. dhe B.M. dyshohen për pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit dhe kundërshtim të punonjësve të policisë. Tre të tjerët, G.S., A.A. dhe E.Sh., dyshohen për shkatërrim të pronës, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, si dhe goditje për shkak të detyrës.

Për pesë personat e lënë në arrest shtëpie, dyshimet lidhen me shkatërrimin e pronës, kundërshtimin e punonjësve të policisë, organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme, si dhe goditjen për shkak të detyrës