Në 11 muaj, 10 elektriçistë humbën jetën në krye të detyrës

Dhjetë elektriçistë kanë humbur jetën gjatë këtij viti në Shqipëri, në aksidente të ndodhura gjatë ushtrimit te detyrës. Rasti më i fundit ndodhi këtë të hënë në Shkodër, ku një 34-vjeçar, punonjës u OSHEE-së humbu jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë  riparimit të nje defekti ne një shtyllë elektrike në fshatin Bardhaj.

Sipas informacionit paraprak të policisë, elektriçisti ishte thirrur jashtë orarit zyrtar të punës nga disa familje që kishin mungesë të energjisë elektrike. Punonjësi i OSHEE-së kishte ndërhyrë në rrjet pa njoftuar dispeçerinë. Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë mjekësore, i riu mbërriti në urgjencën e spitalit rajonal të shkodrës pa shenja jete.

Rrethanat e plota të ngjarjes po hetohen nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë.

Vetëm pak ditë më parë, një tjetër punonjës i OSHEE-së humbi jetën në fshatin Kocul të Selenicës. 45-vjeçari Altin Petanaj ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë punimeve të riparimit në një nënstacion, ku ndodhej së bashku me kolegët e tij.

Një ditë para rastit të rëndë të 45-vjeçarit në Selenicë, ndërroi jetë edhe Lulzim Shehu në fshatin Vasije të Kalasë së Dodës pasi u zu poshtë  nga një shtyllë elektrike gjatë punës.

Në shtator, në fshatin Trojas të Belshit, Klajdi Zekthi humbi jetën gjatë riparimit të një defekti. Incidenti i rëndë në Belsh pasoi ngjarjen e Ermal Dëbrovës, punonjës në OSHEE i cili humbi jetën në fshatin Marglliç të Patosit.

Në 8 shtator, në Tropojë, Muhamet Sylisufaj ndërroi jetë pasi ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë punës, ndërsa tre kolegë të tij mbetën të plagosur.

Më 29 gusht, në fshatin Karmë të Vaut të Dejës humbi jetën David Deda teksa riparonite një instal elektrik në ambientet e jashtme  të një biznesi privat. Në të njëjtën ngjarje u godit nga rryma edhe kolegu i tij, Sokol Preka.

Bilancit të viktimave i shtohen edhe tre raste të tjera të ndodhura gjatë verës.