Dorian Puka, është shqiptari më i komentuar në mediat britanike gjashtë viteve të fundit atje, i cili është i dënuar dy herë për grabitje shtëpish dhe i rikthyer dy herë në Angli pas dëbimeve. Në rrjetet sociale, ditën e sotme, Puka ka postuar disa nga bisedat me disa prezantues të njohur të GB News, ku sipas tij i kanë ofruar para për ta intervistuar.
Në postimin e tij, shqiptari shton se gazetarët anglez shpeshherë në emisionet e mbrëmjes e komentojnë në studio si kriminelin të cilin Home Office nuk e dëbon dot, por sipas tij gjatë ditës i shkruajnë me shumë respekt duke e ftuar për dreka dhe darka.
Ndërkohë, i dëbuari nga Britania e Madhe tregon se një prezantuese e njohur femër flirton me të si e si për ti bërë një reportazh duke e ndjekur gjatë një dite me kamerë Dorian Pukën.
“GB News, nuk kam nevojë për paratë tuaja të pista. Nik dua të përfitoj asgjë. Ndaloni së foluri marrëzira për jetën time vetëm për të marrë disa shikime të rreme.
Gjithçka që thoni është gënjeshtër. Ndaloni së gënjyeri publikun me informacionet tuaja të rreme. Ju nuk dini asgjë për mua, gjithçka që bëni është të shpikni historitë tuaja. Më ftoni të marr pjesë në emisionin tuaj dhe unë refuzoj, sepse jeni media e rreme. Merruni me problemet diku tjetër dhe më lini të qetë.
E di që jam i rëndësishëm për programin tuaj të rremë, sepse ju sjell shikime. E vetmja gjë që ju intereson janë shikimet. Nëse ju intereson vërtet vendi, atëherë publikoni histori të vërteta për atë që po ndodh”, thuhet në disa bisedat që Puka ka publikuar.
Sakaq, në disa mesazhe të tjera, Puka u shkruan mediave se lajmet që ata publikojnë për të janë totalisht të pavërteta dhe se e kaluara e tij i përket të shkuarës.
“E shihni shumë mirë që nuk më intereson asgjë nga ato që thoni, sepse janë të gjitha të pavërteta! E kaluara ime i përket së shkuarës. Nuk do ta fsheh kurrë dhe jam krenar që e kam lënë pas.
Nuk më intereson fare! Ndaloni me këtë media të rreme! Nuk do të marr kurrë pjesë në emisionin tuaj të rremë. Ndaloni ftesat. Nëse jam kaq i keq, atëherë pse më ftoni në emisionin tuaj?”
Daily Mail dhe The Telegraph në Britaninë e Madhe më kanë ofruar shumë para për të marrë pjesë në emisione. Nëse jam kaq i keq, pse dëshironi të më keni në emision? Si mund të më ofroni para për të marrë pjesë në emision, kur unë refuzoj? Ju thjesht shpikni historitë tuaja. Unë nuk do të marr kurrë pjesë në mediat tuaja të rreme”, tregon ai.
Sakaq, Puka e mbyll duke treguar se ka qenë dhe i ftuar në emisionin e politikanit të Reform UK, Nigel Farage, në GB Neës, ku i kërkon të ndalojnë së kontaktuari në telefon, pasi nuk ka ndërmend ta pranojë ftesën
“Nigel, ndaloji njerëzit e tu të më kontaktojnë në telefon. Unë nuk kam ndërmend të vij në emisionin tënd. Nuk kam ndërmend të bëj asnjë ujdi me ju.Vij në emisionin e Nigel nëse ai më rregullon letrat”, i shkruan ai në postimin e tij.
Kujtojmë se Puka u burgos fillimisht më 17 shkurt 2015, pasi u kap duke vjedhur një shtëpi në Tëickenham, në jugperëndim të Londrës, ndërsa pronari ishte me pushime në Francë. Pronari i shtëpisë e pa live grabitjen në kamerat e shtëpisë dhe lajmëroi menjëherë policinë.
29-vjeçari shqiptar u burgos për nëntë muaj dhe “pranoi” të largohej nga Britania pas lirimit të tij. Por brenda një viti, ai kishte arritur t’i shmangej kontrolleve kufitare dhe të kthehej sërish në Mbretërinë e Bashkuar për të kryer një sërë grabitjesh të tjera në periferi të Londrës.
Herën tjetër, Puka ui vu në pranga nga disa civilë që patrullonin Surbiton, gjithashtu në jugperëndim të kryeqytetit, pasi ishte raportuar një rritje e grabitjeve nga banorët lokalë. Momentin e kapje në dorë Puka mbante një orë të shtrenjtë që e kishte vjedhur.
Ai u burgos për tre vjet e gjysmë dhe më pas u dëbua në mars të vitit 2020.
Gjatë kohës së tij në një burg në Mbretërinë e Bashkuar, Puka u bë i famshëm për përdorimin e një telefoni të futur kontrabandë në burg për të postuar foto në Instagram. Ai pozoi përkrah udhëheqësit të një grupi të krimit të organizuar i cili po vuante një dënim me 12 vjet burg për trafikim kokaine dhe pastrim parash.
Pasi u kthye në Shqipëri për disa muaj, ai udhëtoi nëpër Gjermani, Belgjikë dhe Holandë përpara se të kalonte kontrollet kufitare për të hyrë përsëri në Britani në dhjetor të vitit 2020.
I përballur sërish me dëbimin, ai paraqiti një kërkesë për azil dhe që nga viti 2023 ai qarkullon lirshëm në Britani nën kontrollin e një gjurmuesi elektronik, ndërsa pret që gjykata të vendosë për kërkesën e tij për azil.