Krim tronditës në Turqi, biznesmeni gjeti gruan me dy burra në banesë, gjendet i vdekur

Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar në qytetin e Denizlit, në jugperëndim të Turqisë, ku një biznesmen 49-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij, me duart e lidhura dhe shenja të shumta dhune në trup.

Viktima është identifikuar si Feday Karagöz, sipërmarrës në sektorin e ndërtimit dhe pronar i një biznesi mermeri.

Sipas raportimeve të mediave turke, 49-vjeçari dyshohet se ishte kthyer më herët nga një udhëtim pune, kur në banesë kishte gjetur bashkëshorten e tij së bashku me dy burra të tjerë. Përballja mes tyre dyshohet se ka degjeneruar në një konflikt të dhunshëm, që përfundoi me vdekjen e biznesmenit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit, në lagjen Alparslan, në zonën Merkezefendi të Denizlit.

Fqinjët dëgjuan zhurma dhe njoftuan policinë

Kanë qenë fqinjët ata që kanë alarmuar autoritetet, pasi kanë dëgjuar zhurma të forta dhe të bërtitura që vinin nga banesa.

Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët kanë trokitur në derë, por nuk kanë marrë përgjigje. Për këtë arsye, kanë kërkuar ndihmën e një çelësbërësi për të hyrë në apartament.

Brenda, policia ka gjetur 49-vjeçarin të shtrirë në dysheme, pa shenja jete, me duart e lidhura me litar dhe shenja të dukshme dhune në trup. Ekipet mjekësore kanë konfirmuar vdekjen e tij.

Sipas dyshimeve paraprake, biznesmeni është dhunuar fizikisht dhe më pas është mbytur. Shkaku përfundimtar i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjekoligjore.

Arrestohen bashkëshortja dhe dy burra

Në kuadër të hetimeve, policia ka arrestuar bashkëshorten e viktimës dhe dy burrat që dyshohet se ndodheshin në banesë në momentin e ngjarjes.

Pas arrestimeve, situata është tensionuar edhe më tej, pasi familjarët e biznesmenit kanë tentuar të sulmojnë fizikisht njërin prej të dyshuarve. Ndërhyrja e policisë ka bërë të mundur shmangien e përplasjes.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur shqyrtimin e pamjeve të kamerave të sigurisë së kompleksit të banimit, për të rindërtuar lëvizjet e personave të përfshirë para dhe pas ngjarjes.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes, motivin dhe rolin e secilit prej tre personave të arrestuar.