Sulm në burgun e Burrelit, i dënuari godet efektivin në kokë

Një incident është regjistruar mbrëmjen e kaluar në burgun e Burrelit, ku një i dënuar ka sulmuar një punonjës të policisë së burgjeve.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për të dënuarin Dritan Imeri, i cili është duke vuajtur një dënim prej 25 vitesh burgim, ndërsa punonjësi i policisë së burgjeve i dëmtuar është Agron Bebja.

Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, i dënuari ka kërkuar të shkojë në tualet dhe, sapo efektivi ka hapur derën, e ka goditur në kokë me një objekt të fortë. Në ndihmë të punonjësit ka ndërhyrë edhe një efektiv tjetër i policisë së burgjeve.

Efektivi i dëmtuar është dërguar për ndihmë mjekësore, ku ka marrë gjashtë qepje në kokë.

Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor i Prokurorisë së Dibrës, i dënuari, kur është pyetur për arsyen e veprimit, është përgjigjur: “Ma dha truri”, raporton Anila Hoxha.

Pas incidentit, Imeri është izoluar në sektorin e veçimit. Ndërkohë, sot ai është marrë në pyetje nga grupi i hetimit të Prokurorisë së Dibrës.

Deri më tani, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka raportuar zyrtarisht për ngjarjen.