Lokali “Amora”, i cili ra pre e sulmit me Kallashnikov mesnatën e së premtes në Athinë, rezulton në pronësi të 30-vjecarit Denis Luli. Si pasojë e të shtënave nga një makinë ku udhëtonin 4 persona, u plagos një 10-vjecarë shqiptare, e cila nuk dihet nëse kishte lidhje me pronarin. Ajo ndodhej në vendin e ngjarjes bashkë me nënën e saj, e cila e transportoi privatisht drejt Spitalit pas plagës së marrë në pulpë.
Policia gjeti më pas të djegur në Aspropirgo dhe me një Kallashnikov brenda, automjetin e përdorur në ngjarje. Policia dyshon se shënjestër e sulmit ishte 30-vjecari Denis Luli, person me precedentë penalë. Ai rezulton i arrestuar në 2015 në një parcelë të mbjellë me marijuanë, ku gjatë aksionit Luli hapi zjarr ndaj forcave të policisë greke. Për ngjarjen ai u dënua dhe u lirua me kusht në vitin 2021 nga burgu i Malandrinos.
Lidhur me ngjarjen e mbrëmshme, policia dyshon se ajo është porositur nga 49-vjecari nga Berati, Klodian Lekocaj, i njohur gjerësisht si Klod Cara. Ai rezulton i burgosur prej vitesh si autor direkt dhe porositës i shumë ngjarjeve të rënda në Greqi.
Kush është Klodian Lekocaj
Klodian Gjon Lekocaj, 49 vjec alias Klod Cara, një personazh kontrovers është kthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit për shkak të etiketimit nga media greke si Kreu i së ashtuquajtures “Mafia e Burgjeve”. Se sa realisht ai eshte i tillë, kjo nuk dihet, pasi vetë ai në daljet publike në media e konsideron veten “të varfër”, “të pafajshem”, “të perdorur” ndërkohë që faktet, deshmitë dhe përgjimet që disponon policia greke të cojne drejt mendimit se realisht Lekocaj ka pasur dhe ka ende një rol të rëndësishëm në botën e nëndheshme të grupeve kriminale shqiptare dhe greke.
Lekocaj shpesh nëpër përgjime e dëshmi ka dalë se cuditshem ka lidhur fije te grupeve kriminale duke u vene ose atyre ose vetes në dispozicion vrasës me pagesë. I tillë ishte dhe rasti i 14 shtatorit 2022 kur policia greke arrestoi rastësisht dy shqiptarët Viktor Çala 39 vjec dhe Andi Beqiri 23 vjec. Ata u kapen në Athinë, pasi ne automjetin e tyre u gjetën të fshehura 2 Kallashnikovë dhe 1 thike, ndersa në banesë 1 pistoletë. Hetimi i policise zbuloi se Çala ishte autor i vrasjes së nje greku dhe tentatives se vrasjes së një shqiptari, te dyja ngjarje të ndodhura në muajin korrik 2022. Për vrasjen e grekut ai deklaroi se ishte urdhëruar nga Klodian Lekocaj, per shkak të prishjes së pazareve te drogës. Kështu “Klodit”, i cili në kartelat greke njihet edhe si “Luli” apo “Ilia” i’u shtua atëherë edhe një akuzë tjetër pas akuzave te mëparshme për urdherimin e vrasjeve te Avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, të të burgosurit Arbër Bako, të të burgosurit Bardhyl Tusha, përfshirje në tentativën e vrasjes së një pakistanezi, gjobvënie ndaj ish-Ministrit grek Dimitri Tsovola, ndihmë në arratisjen e të burgosurve Leonard dhe Elvis Pepa etj. Klodi ne fakt vec urdhërave, ka precedentë dhe si autor i drejtperdrejtë. Fillimisht është arrestuar në 1997 për vjedhje. Ne 2003 ishte arratisur nga Burgu i Volos ndërsa në 2005 në Agio Pantaleimona plagosi me armë zjarri në bark një shqiptar e me pas në të njëjtin vend në 2006 bashkë me dy shqiptarë plagosi me thikë një bashkëkombas të tijin. Ne 2013 u arrestua për trafik droge dhe vjedhje dhe u dergua në burgun e Korfuzit ku pasi mori leje u arratis në 2014 dhe pas disa ditësh bashkë me Arbër Bakon mori pjesë në tentativen e grabitjes me pasojë plagosjen e një egjyptiani ndersa në 31 tetor 2014 bashkë me Arber Bako, Olti Dulce dhe nje polak kryen një vrasje në zonën e Metaksurgios. Perfundimisht Lekocaj u arrestua ne nëntor 2014 në Sepolia, në shoqerinë e Dhimo Mecit, nje gjirokastrit i perfshirë ne disa vrasje me pagesë ne Greqi dhe që në momentin e kapjes ishte person ne kërkim. Arrestimi i tyre erdhi pas ngjarjes së Mikrolimanos ku Arbër Bako me një Kallashnikov plagosi disa klientë të një lokali në zonë.
Klodian Lekocaj është përmendur të ketë pasur lidhje edhe me shqiptarët Elvis Bogdani dhe Ari Papa të ekzekutuar më parë në Greqi.
Në 2019 Lekocaj u akuzua se rekrutoi një vrasës me pagesë nga Shqipëria për të ekzekutuar një pakistanez ndërsa në mars 2023 ndaj Lekocajt u ngrit akuzë për gjobvënie 100 mijë euro ndaj një biznesmeni grek.
Në prill 2025 Lekocaj u akuzua për porositjen e atentatit ndaj shqiptarëve Kristjanis Stefa dhe Florian Bajraktari, ndodhur në 23 shtator 2024.
Në maj 2025 Lekocaj mori peng dy gardianë të burgut të Koridhalos përmes një thike, duke u marrë celsat, radiot dhe telefonat celularë. Ai filloi të lëvizte drejt një sektori tjetër të burgut bashkë me 7 egjyptianë, me qëllim futjen në repartin 3, ku dyshohet se do tentonte vrasjen e një shqiptari. Ndërhyrja e forcave të tjëra ndihmoi në neutralizimin e të burgosurve.
Disa ditë më pas, policia ushtroi kontroll në qelinë e Lekocaj dhe disa të dënuarve të tjërë duke gjetur sende të paligjshme si celularë, thika e kokainë.
Në shkurt 2026 policia zbuloi se Lekocaj qëndronte pas një rrjeti të futjes së drogës në burg dhe e arrestoi atë bashkë me tre të tjerë.
Po në këtë muaj, Lekocaj mori përsipër autorësinë e plagosjes në burg të vrasësit shqiptar me pagesë, 46-vjecarit Dhimo Meci. Lekocaj deklaroi se kishte urdhëruar autorin grek për të kryer krimin.
Në prill 2026 policia greke arrestoi në Agio Pantaleimona në Athinë dy të rinj shqiptarë shpërndarës droge dhe sekuestroi një sasi. Pas tyre qëndronte me urdhra pikërisht Klodian Lekocaj.
Po në këtë muaj, policia greke arrestoi në Selanik 3 persona për gjobvënie ndaj një biznesmeni. Të arrestuarit ishin dy shqiptarë dhe një grek që kishin marrë urdhra nga Lekocaj. Njëri pret të arrestuar iu sekuestrua edhe një pistoletë.
Në shtator 2026, dy lokale u sulmuan me granata në qendër të Athinës, në distancë 30 min nga njëra tjetra. Grupi hetimor dyshon se pas ngjarjeve fshihet pikërisht Klodian Lekocaj.