Protesta në ditën e 19-të, përplasje me policinë dhe distancim nga demokratët

Protesta e 19-të studentore dhe opozitare nisi e ndarë në dy fronte, për t’u shndërruar më pas në një seri përplasjesh me forcat e rendit nëpër rrugët e kryeqytetit.

Fillimisht, studentët u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, ndërsa simpatizantët e PD-së dhe deputetët demokratë marshuan drejt Kryeministrisë. Kur opozitarët iu bashkuan studentëve në Rrugën e Durrësit, u pritën me thirrje distancuese ndaj politikës.

Situata nisi të përshkallëzohej para Ministrisë së Arsimit, ku persona të maskuar hoqën pllaka trotuari dhe përdorën fishekzjarre e molotovë kundër policisë, e cila u përgjigj me ujë ndërsa të rinjtë përzunë demokratët.

Tensionet u zhvendosën më pas sërish përpara Kryeministrisë dhe në zonën e “Myslym Shyrit”, ku protestuesit hodhën molotovë edhe drejt autobotit të policisë.

Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi ironik me foto nga dritarja e zyrës së tij: “Ai momenti kur përsërit të njëjtën gjë dhe pret një rezultat ndryshe”.

Nga përplasjet u shoqëruan disa persona, ndërsa të paktën tre protestues u arrestuan në flagrancë me molotovë.