Protestë edhe në burgje ? Gazetari: Persona me ndikim nuk lejuan trazira

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka bërë deklarata të forta lidhur me protestat e fundit në vend, përfshirjen e pretenduar të krimit të organizuar dhe përdorimin e plumbave të gomës nga policia. I ftuar në emisionin “Noë” me Erla Mëhillin, Hoxha ka sfiduar publikisht kryeministrin Edi Rama që të tregojë se cilat organizata kriminale kanë financuar protestat, duke pretenduar se eksponentë të krimit të organizuar qëndrojnë në krah të qeverisë.

Gazetari ka zbuluar gjithashtu se gjatë dy javëve të fundit ka pasur tentativa për të shkaktuar trazira në burgje, por sipas tij, ato janë ndaluar nga persona me ndikim që ndodhen pas hekurave. Hoxha është ndalur edhe te përdorimi i plumbave të gomës gjatë protestave, duke deklaruar se efektivët që kanë qëlluar janë identifikuar dhe se kryeministri ka folur për përgjegjësi individuale.

“Më në fund policia, edhe rrodhi këtë vendimin. Komunikimiet e tjera ne s’i kemi parë. Komunikimi i brendshëm i zinxhirit komandues, ne s’na e kanë dhënë. Po reagojnë pasi kanë kalbur në dru mbi 2 mijë veta. Për ta nxjerrë se nuk jemi si në Francë. Vetëm me plumba e kalojnë dyfish numrin e policëve. Që aty nisi gënjeshtra. Krimi i Organizuar është në protestë, por është me Edi Ramën. Krimi i Organizuar janë ata që mbronin selinë e PS-së. 

Të më thotë mua dhe ia them unë. Fillon që në Rinas. Ka pasur tentativa në këto dy javë për të krijuar trazira në burg. Por, bosët që janë të arrestuar e kanë ndaluar këtë gjë. Krimi i organizuar nuk ka investuar protestën, por është në krahun tjetër. E sfidoj kryeministrin dhe të më thotë cila organizatë kriminale ka sponsorizuar protestën. Si pjesë e krimit të organizuar nxjerr Stresin. Po Noizyn që është me ty? Pse nuk e nxjerr? Sot janë identifikuar të gjithë ata që gjuajnë me plumba gome. Sot Rama ka thënë që përgjegjësia është individuale”, tha Artan Hoxha.