Pranga edhe ish kreut të komunës Dërmenas Dilaver Shyti e dy specialistëve të Kadastrës
Drejtori i Spitalit Rajonal Fier, Arben Voja, është ndaluar në kuadër të një hetimi për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, lidhur me tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Povelçës, e cila dyshohet se është kaluar nga pronë shtetërore në pronë private dhe më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik.
Voja, i cili më herët ka drejtuar Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Fier, është shoqëruar nga policia në ambientet e komisariatit, ku po kryhen veprimet procedurale për çështjen. Për të është vendosur nga gjykata masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Për të njëjtin hetim është arrestuar edhe ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, si dhe punonjësja e Kadastrës Fjorelo Bida dhe noterja Anila Haxhiu. Ndërsa për Arbina Jaupajn është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” dhe ndalimin e daljes jashtë vendit.
Hetimi lidhet me mënyrën e kalimit të pronës shtetërore në pronësi private dhe rolin e personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë proces.
Burime thanë se Voja ishte thirrur në prokurori mengjesin e së enjtes për t’u marrë në pyetje. Pasi ka dhënë dëshminë ai është larguar drejt zyrës në drejtorinë e spitalit ku ka vazhduar punën normalisht. Por në mesditë, oficerë të policisë gjyqësore kanë mberritur në zyrë duke e shoqëruar në komisariat. Rreth orës 14:00, dy orë pas shoqërimit, gjykata e Fierit dërgoi vendimin për masë sigurie “arrest me burg” ndaj Vojës, Shytit noteres Haxhiu dhe topografes së kadastrës.
Arben Voja është akuzuar edhe të paktën dy herë të tjera për shpërdorim detyre. Në vitin 2025, ai u kallëzua nga vetë AKSH në SPAK për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, pas konstatimit të 36 rasteve të dyshuara të mosllogaritjes së tatimit 15 për qind, me një dëm ekonomik të pretenduar prej 9.5 milionë lekësh.
Edhe në vitin 2023, një tjetër dosje ndaj tij, për shkelje të dyshuara gjatë drejtimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, u dërgua për gjykim.