Iu hoq liçensa pas dhunimit të protestuesit në Zvërnec, “Myrto Security” merr tenderin 2 milionë euro

Pavarësisht se në qershor të këtij viti iu hoq licenca për shkelje të konstatuara gjatë përplasjes me protestuesit në Zvërnec, kompania private e sigurisë “Myrto Security” rezulton të jetë pjesë e një bashkimi operatorësh që ka fituar një tender publik me vlerë afro 2 milionë euro. Bëhet fjalë për një procedurë të zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Elbasan. Pak ditë më parë, institucioni njoftoi lidhjen e kontratës me bashkimin e kompanive “Juer Security” dhe “Myrto Security”, për ruajtjen fizike të ndërtesave, aseteve, personelit dhe pronave të OSSH-së dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal në këtë qytet.

Procedura ishte shpallur në gusht 2026, me një fond limit prej 184.735.036 lekësh të reja, ose rreth 1.99 milionë euro. Një nga kushtet kryesore për pjesëmarrjen në garë ishte pajisja e operatorëve me licencën e tipit 1.3 A, dokumenti që u jep kompanive private të sigurisë të drejtën për të ofruar shërbime të ruajtjes fizike të objekteve, institucioneve dhe individëve.
Rasti ngre pikëpyetje për pjesëmarrjen e “Myrto Security” në këtë procedurë, pasi vetëm pak muaj më parë Policia e Shtetit kishte vendosur t’i hiqte kompanisë licencën, pas ngjarjeve të rënda të regjistruara në Zvërnec. Megjithatë, kompania ka arritur të sigurojë në gjykatë një masë sigurimi padie lidhur me heqjen e licencës dhe, sipas të dhënave të tenderit, ka vijuar të marrë pjesë në procedurat publike.

Çfarë ndodhi në Zvërnec?
Më 30 maj 2026, një grup qytetarësh nga Vlora protestuan kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit, ku përfshihet edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Protestuesit kundërshtonin kufizimin e aksesit në bregdet dhe ngrinin pretendime lidhur me pronësinë e tokës ku parashikohej ndërtimi i resortit. Në zonën e rrethuar me tela, përballë qytetarëve ishin vendosur punonjësit e kompanive private të sigurisë “Major Security” dhe “Myrto Security”, të kontraktuara nga sipërmarrësi i projektit. Përplasja mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë arriti kulmin kur qytetari Eduard Subashi u tërhoq me forcë dhe u zvarrit për më shumë se 100 metra. Ngjarja shkaktoi reagime të forta dhe u bë një nga episodet që nxitën protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”.