U ekstradua nga SHBA, i dënuari për vrasjen e tre shtetasve, kërkon parashkrimin e dënimit në gjykatë

Sokol Hoxha, nga Patosi, 51 vjeç, i dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997 dhe me burgim të përjetshëm nga gjykata Belge për vrasjen e Brunilda Devishit, kërkon të përfitojë nga mekanizmat e së drejtës penale, sikundër është parashkrimi i dënimit.

51 vjeçari u kap ne SHBA në muajin maj, falë bashkëpunimit të agjensive ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë dhe SHBA, në kuadër të operacionit të koduar “Globi” dhe u ekstradua në 06 gusht në Shqipëri. Ai u dërgua në burgun e sigurise së lartë 313 për të vuajtur dënimin me 25 vjet burg, dhënë në mungesë nga gjykata e Fierit në vitin 2000.

Por teksa kanë kaluar 26 vjet nga mosekzekutimi i dënimit penal, vrasësi po kërkon shuarjen e dënimit. Seanca mbahet në mesditë në gjykatën e Fierit. Pavarësisht pranimit ose jo të kërkesës për shuarjen e dënimit, Sokol Hoxha do të vazhdojë të qëndrojë në burg, pasi për të ka një dënim të përjetshëm dhënë në Belgjike për vrasjen e Brunilda Dervishit, disa muaj pas vrasjes së vëllezërve në Patos.

Kronologjia e vrasjeve

Në mars të vitit 1997, në atë kohë 21 vjeç, vrau me armë zjarri vëllezërit Ilirjan Banaj dhe vëllain e tij, Hektor Banaj pranë tregut të fruta-perimeve në Patos. Shkak sipas raportimeve të kohës, ishte një konflikt për një kasetofon makine. Sipas burimeve për ngjarjen, Hoxha e kreu vrasjen e vëllezërve Banaj në bashkëpunim me shtetas të tjerë.

Pas ngjarjes së rëndë, ai u arratis fillimisht drejt Greqisë dhe më pas u vendos në Belgjikë.

Në Belgjikë, ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit, një shqiptare të cilën, sipas hetimeve, më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion. Ngjarja ndodhi më 29 gusht 1997 në një lokal në Bruksel, pasi gruaja dyshohet se kishte kundërshtuar shfrytëzimin e saj.