Një operacion i gjerë kundër shpërndarjes së drogës pranë shkollave të Tiranës ka çuar në arrestimin e 31 personave, ndërsa 14 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Operacioni “Shkolla të Pastra” është finalizuar pas rreth katër muajsh hetime nga Policia e Tiranës dhe Prokuroria. Sipas hetuesve, në aktivitetin e dyshuar kriminal janë identifikuar gjithsej 52 persona, ndërsa shtatë prej tyre ishin arrestuar gjatë fazave të mëparshme të hetimit.
Grupet dyshohet se shpërndanin heroinë, kokainë dhe kanabis në zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë hapësirat pranë gjimnazeve “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali”, “Çajupi” dhe Shkollës së Mesme Profesionale Ekonomike. Sipas Policisë, mes personave që furnizoheshin me lëndë narkotike kishte edhe të mitur.
Për të shmangur kontrollet policore, shpërndarësit dyshohet se përdornin monopatina, automjete taksi dhe shërbime delivery.
Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 1 kilogram heroinë, 1.2 kilogramë kokainë dhe 685 gramë kanabis, si dhe një armë zjarri, 90 fishekë, peshore elektronike, 12 automjete dhe 35 telefona celularë.
Mes personave të arrestuar është Ferit Xhani, i njohur si “Luzi”, i cili dyshohet se kishte rol furnizues në rrjet, si dhe Engrid Henaj, ish-efektiv i Policisë së Shtetit, i larguar më herët nga radhët e uniformave blu.
Policia po vijon kërkimet për kapjen e 14 personave të tjerë dhe zbardhjen e plotë të mënyrës së funksionimit të grupeve.